Sign up for AFM Marubi Newsletter
News and updates about AFM Marubi's activities !
* = required field

powered by MailChimp!

Saz’iso

Saz’iso

Saz’iso “Ma tund moj të shkretën mandile – Gëzimi dhe trishtimi i muzikës së Shqipërisë së Jugu”

Pse të mos shkëputesh një çast nga rendja marramendëse e jetës moderne dhe të pushosh duke shijuar këtë album muzikor të dalë nga thellësia e shpirtit të Shqipërisë së Jugut?

  • Ry Cooder

 

Samba braziliane, sevdaja boshnjake, xhazi i Nju Orlins, salsa kubane dhe sazet shqiptare! Nga të gjitha këto forma muzikore, përthyerjet  hipnotizuese, vallëzimi i gëzueshëm dhe vajtimi zëmërthyes i sazeve janë incizuar më pak dhe janë më pak të njohura  jashtë Shqipërisë.

 

Kompania “Glitterbeat Records” dhe producentët e Saz’iso kanë kënaqësinë të njoftojnë daljen në treg të albumit muzikor “Ma tund moj të shkretën mandile: Gëzimi dhe trishtimi i muzikës së Shqipërisë së Jugut“ nga grupi virtuoz i muzikantëve dhe këngëtarëve legjendarë të mbledhur posaçërisht nga producentët Joe Boyd (Pink Flloyd, Nick Drake, Cubanismo, Songhai) , Edit Pula (BBC Radio 3 “World Routes” Albania, “Të kam lënë malin” LP – Pavijoni Shqiptar  në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, 2016), dhe Andrea Goertler (konsulente në GIZ ), album që është incizuar nga inxhinieri Jerry Boys, fitues  i çmimit Grammy (Buena Vista Social Club, Ali Farka Touré, Orchestra Baobab).
Çelsi që hapi derën e muzikës shqiptare për amerikanin Joe Boyd, ishte bashkëpunimi mes entomuzikologes  dhe producentes muzikore Lucy Durán dhe artistes shqiptare Edit Pula në vitin 2011 për të realizuar dokumentarin muzikor me tri seri kushtuar Shqipërisë titulluar “Rrënjët e Botës”, i cili u trasmetua në Radion 3 të BBC. Këtë seri mund ta dëgjoni ende online   (http://www.bbc.co.uk/programmes/b016kdcj).  Ndërkohë gjermania Andrea Goertler, e cila jeton dhe punon në Tiranë si konsulente për GIZ, jo vetëm që e kish zbuluar muzikën tradicionale shqiptare, por ishte bërë njohëse dhe kërcimtare e pashoq e valleve shqiptare.

 

Në vitin 2014, Joe mori pjesë, së bashku me Lucy Duran, si mysafir në ditëlindjen e Editit,  festimin e së  cilës Editi e organizoi me ndihmën e Andreas. Dhe që në atë festë, bashkë me miqësinë, u forcua edhe ideja e bashkëpunimit mes të treve për të prodhuar një album me incizime të muzikës popullore shqiptare.

 

Endrra u bë realitet përmes organizimit të një fushate për mbledhjen e fondeve nëpërmjet platformes dixhitale Kickstarter. Me kontributet financiare të miqve dhe njerëzve të panjohur, artdashës dhe fansa të muzikës nga e gjithë bota, mbërritëm  të  mbledhim fondet për realizimin e këtij albumi.

 

Këngëtaret Donika Peçallari dhe Adriana Thanou janë nga Përmeti, djepi i sazeve. Talenti i tyre u zbulua kur ato ishin ende adoleshente. Të dyja kanë dhënë shfaqje me artistin e famshëm të muzikës popullore Laver Bariu në festivalet dhe konkurset kombëtare të kohës. Donika ka një zë të shkathët e të fuqishëm, ndërsa zëri i Adrianës është i ngrohtë dhe me tone delikate. Të dyja u larguan nga Shqipëria gjatë trazirave pas viteve 1990 dhe që atëherë kanë rifilluar punën dhe jetën në Athinë. Donika ishte e vendosur që të mbante kontakte me skenën artistike të mëmëdheut: ka pasur raste kur ajo ka kalur malin dhe kufirin ilegalisht në këmbë vetëm e vetëm për të marrë pjesë në festivalet kombëtare. Ndërsa Adriana nuk kishte kënduar për dy dekada, para se të fillonte të jepte përsëri shfaqje para diasporës shqiptare në Greqi.

 

Timbrat e ndryshëm të zërave të tyre krijojnë një harmoni të mrekullueshme. Secila prej tyre këndon zërin e dytë apo “atë që e pret” dhe tjetra “atë që e merr ” këngën dhe herë-herë ndodh e kundërta.

 

Në disa këngë të tjera, zëri i dytë, “ai që e pret” këngën, është zëri i Robert Tralos, një tjetër këngëtar përmetar, i cili, së bashku me Adrianën, dha një shfaqje legjendare në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983. Pas vitit 1990, Roberti e la pas karrierën muzikore dhe në vend të saj ndoqi pas zërin e Zotit duke u bë prift ortodoks. Ai shërben në disa kisha në Këlcyrë e Përmet dhe herë pas here e bashkon zërin e tij të mrekullueshëm me ansamble të sazeve, por vetëm jashtë zonës ku shërben si prift.

 

Muzika e Shqipërisë së Jugut është Iso-polifoni, që do të thotë kombinimi i të paktën dy linjave melodike vokale: “ai që e pret” dhe “ai që e merr” këngën dhe të shoqëruar me iso (domethënë, kor me shumë zëra). Kur në Shqipëri mbërritën në fund të shekullit XIX instrumentet e temperuara, të kënduarit, që deri atëherë bëhej a capella (domethënë, vetëm me zë), filloi të shoqërohej me instrumente. Ky është momenti i lindjes së sazeve: klarineta dhe violina morën rolin e zërit të parë dhe të dytë (“ai që e pret” dhe “ai që e merr”), ndërsa llahuta atë të isos. Sazet u bënë tepër të famshme në qytetet dhe fshatrat e jugut të Shqipërisë dhe u bënë pjesë e dasmave, funeraleve dhe festimeve të çdo lloji që atëhere e deri më sot.

 

Siç e shpjegon z. Vasil S Tole, ekspert i iso-polifonisë dhe këshilltar i këtij projekti: “Sazet mbeten edhe sot gjuha muzikore e qyteteve të jugut të Shqipërisë, ku Lindja dhe Perëndimi u përqafuan, ku instrumentet europiane u përplasën me magjinë e a cappella-s iso-polifonike dhe ku jeta dhe vdekja ende bashkëekzistojnë në një tingull, i cili është vërtet unik”.

 

Instrumentistët e Saz’iso janë nga Korça, një tjetër qytet i rëndësishëm i sazeve. Violinisti Aurel Qirjo u diplomua si dirigjent në Akademinë e Arteve në Tiranë. Pavarësisht se ka jetuar për kohë të gjatë jashtë Shqipërisë, ai mbetet një nga violinistët më të shquar të sazeve dhe kthehet shpesh të luajë në Shqipëri. Aureli tani jeton dhe punon në Londër dhe jep shfaqje si anëtar i ansamblit grek Kourelou në këtë qytet. Ai luan, po ashtu, edhe me ansamble turke dhe shqiptare.

 

Klarinetisti Telando Feto jeton  në  Korçë dhe punon si mësues muzike në një fshat afër qytetit. Ai është i famshëm për tonin dhe muzikalitetin e lojës së tij në klarinetë dhe është mjaft i kërkuar .

 

Mjeshtrat Agron Murat në llahutë dhe ai në dajre Agron Nasi janë artistë veteranë dhe bëjnë pjesë në ansamblin e famshëm të sazeve të Lulushit. Ata kanë marrë pjesë në shumë turne. Agron Murati, përveçse është një instrumentist legjendar i llahutës, njihet edhe si mjeshtër në prodhimin e llahutave.

 

Ndërsa Pëllumb Meta është një instrumentist shumë-dimensional nga Tirana, ish-anëtar i ansamblit “Tirana” dhe virtuoz në të gjitha llojet e fyejve dhe pipave, me një repertor  të jashtëzakonëshëm këngësh nga të gjitha trevat shqiptare. Ai, po ashtu, prodhon vetë instrumente dhe kostume popullore.

 

Këngët në këtë album janë këngë gëzimesh dhe hidhërimesh, dashurie dhe humbjeje, heroizmi dhe tragjedie. ”Tana” është një këngë e lashtë për një bari, të cilit banditët i kanë marrë tufën. Përpara se ta vrasin, ata i plotësojnë bariut dëshirën e fundit për të luajtur në fyell. Melodia trishtuese që ai luan, ka për qëllim t’i tregojë të dashurës poshtë në arë ngjarjen që po ndodh, dhe fatin e tij të zi.

 

Ndërsa një nga rrjeshtat e këngës së mrekullueshme Penxherenë e zotrisë sate, e cila na frymëzoi për t’i vënë titullin këtij albumi, bën fjalë për një djalë që përgjërohet për të parë të dashurën namuzqare dhe i lutet që, të paktën, ajo t’i japë një shenjë: “Hyn e del ne porta

Jashtë i mjeri unë! Ma tund moj të shkretën mandile!”. Disa këngë të tjera flasin për partizanët që luftojnë kundër pushtuesve të huaj dhe për burrat që janë të detyruar të largohen nga shtëpia në kërkim të punës, duke lënë pas gratë dhe familjet që vajtojnë, një temë kjo që vazhdon të jetë pjesë e muzikës shqiptare edhe në ditët e sotme.

 

Vallet instrumentale kanë rrënjë të thella në historinë e rajonit. Valle e Osman Takës, për shembull, është bazuar mbi legjendën e këtij udhëheqësi rebel të kapur nga armiqtë, i cili kërkon, si dëshirë të fundit, të kërcejë një valle. Mjeshtëria e kërcimit të tij i mahnit armiqtë, të cilët ndërrojnë mendje dhe e lënë të lirë. Ndërsa Valle Postenançe është një vallë delikate grash, e cila është shumë popullore në rajon.

 

Ndër të gjitha format e muzikës instrumentale të zonës asnjë tjetër nuk rezononon më shumë fuqi prekëse sesa kabaja. Sipas legjendës, kjo lloj muzike lindi kur një grua, teksa po vdiste, ju lut të shoqit që të mos e qante, por, në vend të tij, ta linte klarinetën të qante mbi arkivolin e saj. Ky album i përfshin të dyja: kaba me klarinetë dhe kaba me violinë, si edhe një avaz (që është një improvizim i lirë me të gjithë instrumentat). Tingujt melankolikë të improvizuar të klarinetës apo violinës krijojnë një gjendje, së cilës shpesh i referohen si ‘muzika blues shqiptare’. “Meloditë e kabasë, të zbukuruara me kapërcime, rrëshqitje dhe rënkime, të cilat ngjajnë pothuajse si zëra njerëzish, tingëllojnë të freskëta dhe të lashta në të njëjtën kohë”, vëren autori dhe muzikanti Kim Burton. “Këto melodi janë një shëmbull i kombinimit të pasionit me vetëpërmbajtjen, një shenjë dalluese kjo e kulturës shqiptare.”

 

 

Ky album është një monument në historinë e muzikës së sazeve. Këta muzikantë po ndjekin hapat e mjeshtrave të mëdhenj para tyre, ndërkohë që kujdesi dhe rigoroziteti i produksionit bashkë me cilësinë e lartë të zërit të këtij incizimi na lejojnë t’i shijojmë sazet si asnjëherë më parë.”

  • Vasil S. Tole

 

“Ne u nisëm t’i regjistronim këta këngëtarë dhe muzikantë viruozë si të ishte një sesion xhazi në (klubin e famshëm në Nju Jork) Notat Blu ose një quartet harqesh në Gramafonin Gjerman. Sazeja është, në fund të fundit, një formë klasike me elementët thelbësorë që nuk kanë ndryshuar për dekada me rradhë. Me rrënjët e veta antike, intensiteti i kësaj muzike të nivelit botëror ka aftësinë të magjepsë çdo dëgjues.”

–               Joe Boyd

 

Saz’iso është si një ëmbëlsirë me aromë të mirë, e sapo dalë nga furra, gati për t’u shijuar tashmë nga e gjithë bota – gatuar me përbërës si dashuria e vërtetë për këtë muzikë, respekti për këta artistë fantastikë dhe muzikën e tyre, miqësia e fortë mes nesh që bazohet  mbi interesa dhe vlera të  përbashkëta, si dhe mbi besimin që na kanë  dhënë miqtë, njerëzit e familjeve tona, bashkëpunëtorët dhe shumë mbështetës të  panjohur (përmes  Kikckstarter), të  cilët ndihmuan në financimin e këtij projekti. Është fantastike kur sheh se si receta jonë e shijshme ka filluar të pushtojë ndjesitë e artdashësve në të gjithë  botën.

–               Edit Pula dhe Andrea Goertler

 

***

 

“Ma tund moj të shkretën mandile” u incizua për tre ditë në tetor 2016 në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” në Tiranë . Producentët Joe Boyd, Edit Pula dhe Andrea Goertler bashkë me inxhinierin Jerry Boys, me ndihmën e pakursyer të stafit dhe studentëve të Akademisë “Marubi”, e kthyen sallën e shfaqjes së filmave të kësaj akademie në një sallë të mirëfilltë incizimi. Gjithska është incizuar live dhe pa shtuar asgjë dhe asnjë efekt zanor.

 

“Incizimi i Saz’isos ishte një përvojë e mrekullueshme, sidomos teksa shihje se sa shumë të përfshirë dhe të intriguar ndiheshin muzikantët nga ky proces. Ata janë artistë brilant dhe rrallë patëm nevojë të bëjmë më shumë se dy dubla për të arritur varjantin final të këngës apo melodisë”.

  • Jerry Boys

 

Saz’iso do të bëjë një turne 10-ditor në Mbretërinë e Bashkuar nga 1  deri 11 nëntor 2017 nëpërmjet kompanisë “Making Tracks”, e cila mbështetet financiarisht nga Këshili i Arteve të Anglisë, në bashkëpunim me qëndrën Barbican LSO St’Luke për koncertin e datës 4 nëntor 2017 në Londër.

 

***

 

Artistët e Saz’iso janë:      

Donika Pecallari, vokal

Adrianna Thanou, vokal

Robert Tralo, vokal

Aurel Qirjo, violinë & vokal

Telando Feto, klarinet

Agron Murat, llahutë

Agron Nasi, dajre

Pëllumb Meta, fyell

 

Producentë: Joe Boyd, Edit Pula & Andrea Goertler

Inxhinier: Jerry Boys

 

Për më shumë informacion për këtë album, mund të kontaktoni në faqen tonë ne FB Saz’iso (https://www.facebook.com/SazisoEnsemble/) dhe në adresën e emailit saziso@cantab.net  ose cel: 0682026706

 

No Comments

Post A Comment
en_US