Launching the Spanish Cinema Retrospective – 15 May 2026

Launching the Spanish Cinema Retrospective – 15 May 2026

Shfaqja e filmit LA BUENA ESTRELLA

Cikli i filmave Restrospektiva e Kinemasë Spanjolle u çel të premten mbrëma, më datë 15 Maj, me filmin “La Buena Estrella” nga regjisori Ricardo Franco, realizuar në vitin 1997. Premierë për publikun e kryeqytetit, filmi solli në fokus temën e ndjeshmërisë, brishtësisë dhe mirëkuptimit të natyrës komplekse njerëzore, edhe në situata shpesh absurde e të papranueshme nga kodet morale shoqërore.

Të pranishëm në premierë ishin aktori protagonist Jordi Mollà, Ambasadori i Spanjës në Shqipëri z. Gabriel Cremades, drejtori i Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi z. Kujtim Çashku, si dhe shumë të ftuar të tjerë dhe një publik i gjerë artdashës. Në fjalën e hapjes, z. Çashku tha, se dashuria për dhomën e errët të kinemasë, edhe në kohërat e rrjeteve sociale dhe përdorimit masiv që ato kanë marrë, tregon se ka ende njerëz rebelë dhe që preferojnë filmin. Ndërsa Ambasadori Spanjoll i prezantoi publikut përzgjedhjen e filmave që do të shfaqen në këto 5 javë në Tiranë, në kuadër të 40-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Aktori Jordi Mollà, i cili e mori fjalën pak para shfaqjes, nënvizoi se filmi premtonte një efekt surprizë dhe se ai përshkohej i gjithi nga tema e vulnerabilitetit njerëzor.

Pas shfaqjes, të pranishmit biseduan në një sesion Pyetje-Përgjigjesh me aktorin, për të vijuar më pas mbrëmjen me verë spanjolle në mjediset e Akademisë Marubi.

E Premtja e Filmit Spanjoll, si traditë e shfaqjes së filmave në kinemanë e Akademisë Marubi, ka nisur së pari në vitin 2009. Publiku i kryeqytetit do të mundë të shohë çdo të premte përgjatë muajit Maj e deri në 12 Qershor filmat e zgjedhur falas, me titra anglisht, mundësuar nga Ambasada Spanjolle në Tiranë dhe AFMM.

 

 

No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.

en_US